Publikuar më: 14/10/2025
Kreditimi i tatimit
Kreditimi i tatimit të huaj është një lehtësi fiskale që ju ndihmon të shmangni taksimin e dyfishtë mbi të njëjtat të ardhura duke ju lejuar që të zbrisni nga tatimi që duhet të paguani në Shqipëri shumën e tatimit që keni paguar jashtë vendit për të njëjtat të ardhura.
Me fjalë të tjera, nëse keni paguar tatim në një shtet të huaj për të ardhurat tuaja, kjo shumë mund të përdoret si kredi tatimore për të zvogëluar detyrimin tuaj tatimor në Shqipëri.
Ky përfitim aplikohet vetëm për:
- Individët rezidentë në Shqipëri, që kanë deklaruar të ardhura personale nga burime jashtë Shqipërisë.
- Tatimpaguesit që mbajnë dokumentacionin përkatës, i cili provon pagesën e tatimit në shtetin e huaj.
Për të përfituar nga kreditimi i tatimit të huaj, duhet të dorëzoni:
- Vërtetim zyrtar nga autoritetet tatimore të shtetit të huaj ku janë realizuar të ardhurat;
- Dokumentacion që tregon:
shumën e të ardhurave të realizuara;
nivelin e tatimit të paguar;
datën dhe vendin e pagesës.
Këto dokumente duhet të jenë brenda afateve dhe sipas formateve të përcaktuara nga Ministria e Financave.
Shuma e tatimit të huaj që mund të zbritet nuk mund të jetë më e madhe se ajo që do të paguanit në Shqipëri për të njëjtat të ardhura.
Shembull:
- Nëse keni fituar 1,000 euro nga një vend i huaj dhe keni paguar 100 euro tatim atje,
- Por në Shqipëri për të njëjtat të ardhura do të paguanit vetëm 80 euro,
- Atëherë do të kreditohet vetëm 80 euro, jo 100.
Nëse keni të ardhura nga disa shtete të huaja:
- Kreditimi i tatimit llogaritet veçmas për secilin shtet.
- Do të bëhet një përllogaritje e veçantë për çdo burim të ardhurash të huaja.
Po ashtu, nëse të ardhurat tuaja ndahen në kategori të ndryshme kreditimi i tatimit duhet të llogaritet veçmas për secilën kategori.
