Publikuar më: 14/10/2025

Kuptimi i taksimit të dyfishtë

Në shumicën e vendeve të botës dhe pothuajse në të gjitha vendet e zhvilluara, në legjislacionin tatimor kanë sanksionuar si parimin e rezidencës ashtu edhe parimin e burimit.

1) Sipas parimit të rezidencës, individët dhe personat juridikë që konsiderohen rezidentë të një shteti, në bazë të legjislacionit të tij, i nënshtrohen tatimit në këtë shtet për të ardhurat në total të realizuara në shkallë botërore;

2) Sipas parimit të burimit, individët dhe personat juridikë që nuk janë rezidentë të këtij shteti, në bazë të legjislacionit të vendit, i nënshtrohen tatimit në këtë shtet vetëm për të ardhurat që mund të realizojnë në këtë shtet.

Në këto përkufizime del qartë se ka një mbivendosje të dy parimeve, pra e njëjta e ardhur tatohet edhe në vendin e burimit, edhe në vendin e rezidencës. Rregullat bazë tatimore nuk anashkalojnë dot konfliktin ndërmjet dy parimeve. Duhet theksuar se një konflikt i tillë, në pamje të parë, nuk sjell efekte negative për shtetin, por ndikon negativisht në të drejtat (përfitimet) e tatimpaguesit. Dy shtetet kërkojnë që të marrin pjesën e tyre në veprimtarinë fitimprurëse të tatimpaguesit edhe pse ky i fundit i krijon të ardhurat në një vend ku nuk është rezident. Në këtë rast preken interesat e tatimpaguesit, sepse për të ardhurat e fituara në një vend që është jorezident do të tatohet dy herë: një herë në vendin që krijohen të ardhurat dhe një herë në shtetin ku ai është rezident.

Pikërisht kjo mbivendosje ose konflikt midis parimit të rezidencës dhe atij të burimit konsiderohet si një tatim i dyfishtë.