Publikuar më: 14/10/2025

Përfaqësues tatimor

Përfaqësuesi tatimor rezident mund të jetë një individ, një person fizik tregtar ose një person juridik. Personi i emëruar si përfaqësues tatimor ka të drejtë të veprojë në emër të kryesorit të tij (personit jo rezident) për të gjitha qëllimet që lidhen me tatimet. Ai është njëkohësisht përgjegjës për të përmbushur të gjitha detyrimet e tatimpaguesit jo-rezident që ai përfaqëson. Përfaqësuesi tatimor duhet të kërkojë të regjistrohet pranë drejtorisë rajonale tatimore, në Drejtorinë e Shërbimit të Tatimpaguesve, Sektori i Regjistrimit.

 

Dokumentet që duhet të paraqiten për regjistrimin e përfaqësuesit tatimor janë:

  1. Vendimi ose prokura e emërimit të Përfaqësuesit Tatimor
  2. Një kopje të vërtetuar të marrëveshjes së përfaqësimit
  3. Një kopje të vërtetuar të çertifikatës së regjistrimit tatimor të personit jo rezident në vendin e tij të rezidencës ku të vërtetohet se personi jorezident është person aktiv, kjo e lëshuar jo më vonë se 3 muaj nga data e aplikimit për regjistrim. Përfaqësuesi tatimor duhet të regjistrohet me emrin e tij dhe në emrin e përfaqësuesit të tij tatimor brenda 5 (pesë) ditëve pas emërimit si i tillë dhe para fillimit të detyrimit ligjor të këtij personi në Shqipëri. Për çdo ndryshim të kryer apo që do të kryhet, në lidhje me të dhënat fillestare të marra nga përfaqësuesi tatimor, brenda 5 ditëve duhet të njoftohet me shkrim drejtoria rajonale.

Në marrëveshjen e përfaqësimit duhet të specifikohen qartë të gjitha aktivitetet, të cilat mund të ushtrohen nga përfaqësuesi tatimor. Ai të paktën, duhet të jetë i autorizuar:

  • Të plotësojë faturat në emër të personit që përfaqëson, të pranojë faturat për transaksione për të cilat është i autorizuar;
  • Të dorëzojë deklaratat e TVSH-së në Shqipëri në emër të personit që përfaqëson, si dhe deklarata të tjera tatimore kur ato i kërkohen nga legjislacioni tatimor në fuqi në Republikën e Shqipërisë; · Të paguajë detyrimet tatimore dhe të marrë rimbursimet tatimore nëse ka të tilla në emër të personit jorezident që përfaqëson;
  • Të mbajë regjistrimet e transaksioneve dhe t’i vendosë ato në dispozicion me kërkesë të administratës tatimore;
  • Të veprojë në emër dhe për llogari të personit jorezident dhe ta përfaqësojë atë në kontrollet e mundshme të administratës tatimore;
  • Të plotësojë të gjitha detyrimet që lidhen me TVSH-në në importe, eksporte dhe detyrime doganore, nëse ka të tilla.