Publikuar më: 14/10/2025

Kalimi në pasiv

Kalimi në pasiv i personit juridik tatimpagues do të thotë ndërprerja e përkohshme ose përfundimtare (në rast të çregjistrimit) e veprimtarisë/aktivitetit të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe administratës tatimore.

Në këtë fazë, personi juridik nuk ushtron më aktivitet të deklaruar dhe nuk ka detyrime të reja tatimore për periudhën pas kalimit në pasiv.

 

Kalimi në status pasiv i personit juridik bëhet me kërkese të subjektit ose nga Administrata Tatimore kur përmbushen kushtet ligjore.

  • Me kërkesë të subjektit – kur ky i fundit vendos të ndërpresë veprimtarinë/aktivitetin për një periudhë më shumë se 12 muaj ose pa afat.
  • Nga Administrata Tatimore në rast se subjekti dorëzon deklarata pa aktivitet (me zero) ose kur nuk deklaron për një periudhë më shumë se 12 muaj të njëpasnjëshëm.
  • Për të gjithë periudhën që subjekti ndodhet në status “Pasiv”, ai nuk ka detyrimin për të dorëzuar deklaratat tatimore (gjenerimi i deklaratave ndërpritet automatikisht).