Publikuar më: 03/07/2025

Entet publike

Entet publike janë institucione, organizma ose njësi administrative që:

  • Janë pjesë e administratës shtetërore qëndrore ose vendore;
  • Financohen nga buxheti i shtetit ose nga të ardhura publike;
  • Ofrojnë shërbime për interes publik.

Këtu përfshihen: ministritë, bashkitë, agjencitë ekzekutive, universitetet publike, spitalet shtetërore, institucionet e pavarura kushtetuese, etj.

 

Edhe pse entet publike nuk operojnë për fitim, ato mund të kenë detyrime tatimore, në varësi të natyrës së aktivitetit që kryejnë apo transaksioneve që realizojnë. Per shembull: Kur enti paguan qira, shërbime, dividendë, apo interesa ndaj të tretëve ka përgjegjësi për tatimin e mbajtur në burim; Kur enti ofron mallra/shërbime me pagesë që konsiderohen aktivitet ekonomik dhe kur këto veprimtari nuk janë të papërfillshme sipas ligjit ka përgjegjësi për tatimin mbi vlerën e shtuar; Kur enti ka të punësuar me kontratë pune ka përgjegjësi për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore sipas ligjit. Entet publike nuk i nënshtrohen përgjegjësisë për tatimin mbi të ardhurat e korporatave.

 

Në zbatim të Nenit 27, të ligjit Nr. 29/2023, datë 30.03.2023, “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i ndryshuar, Entitetet e mëposhtme janë të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat e korporatës:

a) organet e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, të krijuara me Kushtetutë, ligj ose vendim të Këshillit të Ministrave, që kanë si veprimtari të tyre parësore përmbushjen e funksioneve të qeverisjes qendrore;

b) Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave;

c) fondacionet ose institucionet financiare jobankare, të krijuara ose të transferuara me vendim të Këshillit të Ministrave, që synojnë mbështetjen e politikave zhvilluese të qeverisë nëpërmjet dhënies së kredive;

ç) entitetet që ushtrojnë vetëm veprimtari të karakterit fetar, humanitar, bamirës, shkencor apo edukativ, pasuria apo fitimi i të cilëve nuk përdoret për përfitimin e organizuesve apo anëtarëve të tyre;d) organizatat e punës apo dhomat e tregtisë, industrisë ose bujqësisë, pasuria apo fitimi i të cilave nuk përdoret për përfitimin e një individi apo të një anëtari të tyre;

dh) entitetet e parashikuara në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi;

e) shtëpitë filmike të prodhimit kinematografik, të licencuara dhe të subvencionuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Të gjitha entitetet e përcaktuara më sipër 2, përveç shkronjave “a” dhe “b”, pavarësisht nga përjashtimi i tatimit mbi të ardhurat e korporatës, janë të detyruara të dorëzojnë në organet tatimore deklaratën tatimore dhe pasqyrat e raportimit financiar në të njëjtat afate si entitetet, që i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat e korporatës.