Publikuar më: 17/06/2025
Deklarimi
Çdo individ që gjeneron të ardhura, brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, mund të ketë detyrimin ligjor të dorëzojë deklaratën tatimore vjetore.
Deklarimi është një proces përmes të cilit një individ ose subjekt njofton vullnetarisht administratën tatimore për të ardhurat, shpenzimet dhe çdo informacion tjetër financiar që lidhet me detyrimet e tij tatimore.
Deklarimi është i detyrueshëm në rastet kur:
- Të ardhurat tua totale vjetore (nga të gjitha burimet) janë më shumë se 1,200,000 lekë;
- Jeni i punësuar tek më shumë se një punëdhënës, pavarësisht shumës së përfituar;
- Keni përfituar më shumë se 50,000 lekë në vit nga të ardhura të tjera, të cilat nuk janë tatuar në burim, sipas përcaktimeve të ligjit;
- Kryeni një veprimtari ekonomike si individ i vetëpunësuar ose tregtar (biznes i vogël apo i madh), pavarësisht nga qarkullimi vjetor.
Për individët nën 18 vjeç, deklarata plotësohet nga kujdestari ligjor.
Afati i dorëzimit të deklaratës
Deklarata tatimore vjetore duhet të dorëzohet:
- Brenda datës 31 mars të vitit pasardhës për të cilin bëhet deklarimi.
- Në rast të ndryshimit të rezidencës tatimore, deklarata për të ardhurat duhet të dorëzohet deri në datën e largimit nga Shqipëria.
- Në rast vdekjeje, deklarimi bëhet nga trashëgimtarët ligjorë për periudhën deri në datën e ndarjes nga jeta.
Pse është e rëndësishme të deklaroni saktë?
- Deklarimi i drejtë dhe në kohë ju ndihmon të shmangni penalitetet;
- Është një detyrim ligjor dhe moral për çdo qytetar që përfiton të ardhura;
- Është baza për vlerësimin e drejtë të barrës fiskale dhe përfitimeve ligjore që ju takojnë.
Mbajtja e Dokumentacionit
Tatimpaguesit janë të detyruar të mbajnë dokumentacionin e nevojshëm për të vërtetuar të dhënat e deklaruara në deklaratën e të ardhurave. Kjo përfshin regjistrin e të ardhurave, shpenzimeve, llogarive të arkëtueshme dhe detyrimeve, sipas një strukture të thjeshtuar, siç përcaktohet në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
KUJDES!!!
- Çdo e ardhur që nuk është përjashtuar shprehimisht nga tatimi (si ndihmat ekonomike, bursa, kompensimet për shpronësime, etj.), duhet të deklarohet.
- Mungesa e deklarimit, deklarimi i pasaktë apo vonesa, mund të çojë në gjoba dhe ndëshkime administrative sipas ligjit.
