Publikuar më: 14/10/2025

Informacion i pergjithshem

Pasi regjistrohen në QKB, shoqëritë tregtare kanë detyrimin për t’u regjistruar në administratën tatimore dhe për të deklaruar aktivitetin e tyre. Detyrimet tatimore të personave juridik tatimpagues përfshijnë:

Tatimi mbi fitimin – përfitimi neto vjetor (15% norma standarde);

Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) – nëse qarkullimi kalon kufirin minimal të regjistrimit;

Tatimi në burim – për pagesa si qira, dividendë, interesa, etj.;

Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore – për punonjësit që punësohen nga shoqëria.

Tatimet janë pagesa të detyrueshme që personat juridikë tatimpagues bëjnë ndaj shtetit, pa marrë një përfitim të drejtpërdrejtë në këmbim. Nëpërmjet pagesës se detyrimeve, subjektet tatimpaguese financojnë shërbimet publike, si: arsimi, shëndetësia, siguria dhe rendi, infrastrukturat publike, administrata publike etj.

 

Administrata Tatimore e Shqipërisë ka si mision të:

  • Sigurojë mbledhjen korrekte dhe në kohë të detyrimeve tatimore;
  • Ndihmojë tatimpaguesit të përmbushin detyrimet e tyre bazuar në parimet e vetëvlerësimit dhe vetëdeklarimit të detyrimit tatimor;
  • Nxisë dhe mbështesë respektimin vullnetar të legjislacionit tatimor;
  • Parandalojë, zbulojë dhe ndëshkojë shmangien dhe evazionin fiskal.

Person juridik tatimpagues është personi, i cili është subjekt i tatimit sipas kuadrit ligjor tatimor në fuqi.

Detyrimet kryesore të personit juridik tatimpagues:

Detyrimi Subjekti
1 Regjistrimi në QKB dhe organet tatimore Bizneset dhe OJF-të
2 Regjistrimi për TVSH (nëse aplikohet) Kur tejkalohet kufiri ligjor ose kur zbaton të drejtën e zgjedhjes sipas ligjit.
3 Deklarimi i të ardhurave dhe TVSH Subjektet e tatueshme
4 Pagesa e kontributeve të sigurimeve Punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit
5 Lëshimi i faturës tatimore Çdo shitje e mallrave/shërbimeve

Tatimet llogariten mbi bazën e:

  • Të ardhurave mujore apo vjetore;
  • Qarkullimit vjetor për efekt TVSH-je;
  • Kontratave, marrëveshjeve apo burimeve të të ardhurave.

Pagesat dhe deklaratat bëhen përmes:

  • Platformës online e-Filing;
  • Bankave të nivelit të dytë;

Administrata Tatimore mundëson:

  • Regjistrim dhe ndryshim të dhënash;
  • Deklarim dhe pagesë online;
  • Këshillime dhe udhëzime të specializuara lidhur me mënyrën e drejtë të zbatimit të legjislacionit tatimor në rrethana specifike dhe situata të veçanta;
  • Vërtetim për pagesën e detyrimeve;
  • Vërtetim xhiro për 3 vitet e fundit;
  • Vërtetim për përgjegjësitë tatimore;
  • Vërtetim statusi (aktiv, pasiv përfshirë datën);
  • Vërtetim për regjistrim të investitorit;
  • Vërtetim për pagesën e kontributeve nga subjekti;
  • Vërtetim për posedim mjeti;
  • Vërtetim për individ të paregjistruar;
  • Vërtetim për pagesën e kontributeve për individin.