Publikuar më: 14/10/2025
Përfaqësuesi tatimor
Përfaqësuesi tatimor mund të jetë një individ, person fizik ose juridik i emëruar nga një tatimpagues, që vepron në emër dhe për llogari të tij në marrëdhënie me administratën tatimore.
Ky institucion është veçanërisht i rëndësishëm për:
- Tatimpaguesit e huaj pa seli apo rezidencë në Shqipëri;
- Shoqëritë e huaja të regjistruara për TVSH në Shqipëri;
- Tatimpaguesit që për arsye praktike ose ligjore kërkojnë të përfaqësohen nga një palë e tretë.
Përfaqësues Tatimor kërkohet detyrimisht në rastin një shoqërie të huaj pa seli në Shqipëri, por e cila është e regjistruar me detyrime për TVSH.
Detyrat dhe përgjegjësitë e Përfaqësuesit Tatimor
- Të përfaqësojë tatimpaguesin në të gjitha marrëdhëniet me administratën tatimore;
- Të sigurojë përmbushjen e detyrimeve tatimore në emër të tatimpaguesit;
- Të mbajë dhe dorëzojë dokumentacionin e nevojshëm për deklarimet tatimore;
Gjatë kontrolleve tatimore, ankimimeve apo procedurave të tjera ligjore, Përfaqësuesi Tatimor mund të përfaqësojë subjektin me prokurë të posaçme.
Përfaqësuesi tatimor duhet të kërkojë të regjistrohet pranë drejtorisë rajonale tatimore, në Drejtorinë e Shërbimit të Tatimpaguesve, Sektori i Regjistrimit.
Dokumentet që duhet të paraqiten për regjistrimin e përfaqësuesit tatimor janë:
- Vendimi ose prokura e emërimit të Përfaqësuesit Tatimor ;
- Një kopje të vërtetuar të marrëveshjes së përfaqësimit;
- Një kopje të vërtetuar të çertifikatës së regjistrimit tatimor të personit jo rezident në vendin e tij të rezidencës ku të vërtetohet se personi jorezident është person aktiv, kjo e lëshuar jo më vonë se 3 muaj nga data e aplikimit për regjistrim. Përfaqësuesi tatimor duhet të regjistrohet me emrin e tij dhe në emrin e përfaqësuesit të tij tatimor brenda 5 (pesë) ditëve pas emërimit si i tillë dhe para fillimit të detyrimit ligjor të këtij personi në Shqipëri. Për çdo ndryshim të kryer apo që do të kryhet, në lidhje me të dhënat fillestare të marra nga përfaqësuesi tatimor, brenda 5 ditëve duhet të njoftohet me shkrim drejtoria rajonale.
Përfaqësues tatimor mund të jetë:
- Eksperti kontabël i licencuar;
- Shoqëria e kontabilitetit dhe e këshillimit fiskal;
- Avokati me autorizim të posaçëm;
- Personi juridikë apo juridikë tjerër, në përputhje me ligjin, i emëruar me prokurë.
Kujdes!!!
- Përfaqësuesi tatimor nuk e përjashton tatimpaguesin nga përgjegjësia ligjore për detyrimet tatimore;
- Tatimpaguesi është gjithmonë përgjegjës për korrektësinë e informacionit të deklaruar.
- Në disa raste, përfaqësuesi mund të mbajë përgjegjësi të përbashkët për detyrimet tatimore të tatimpaguesit, nëse kjo parashikohet në ligj apo në marrëveshje.
