Publikuar më: 14/10/2025
Te drejtat
Në kuadër të sistemit tatimor shqiptar, çdo tatimpagues ka të drejta të garantuara me ligj, në administratën tatimore. Këto të drejta synojnë të sigurojnë trajtim të drejtë, transparencë dhe mbrojtje gjatë përmbushjes së detyrimeve tatimore.
- E drejta për informacion dhe udhëzim të qartë
Çdo individ ka të drejtë të marrë informacion të saktë, të kuptueshëm dhe në kohë nga organet tatimore, lidhur me detyrimet e tij tatimore, procedurat e deklarimit dhe pagesës, si dhe të drejtat e tij si tatimpagues.
- E drejta për privatësi dhe konfidencialitet
Të dhënat personale dhe financiare të tatimpaguesit trajtohen me konfidencialitet të plotë nga administrata tatimore, në përputhje me ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale.
- E drejta për korrigjim të deklaratave tatimore
Nëse individi konstaton gabime në deklaratat e dorëzuara, ka të drejtë të bëjë korrigjimin e tyre brenda afateve dhe sipas mënyrave të përcaktuara ligjore.
- E drejta për ankesa dhe ankimim
Në rast mospajtimesh me vendimet e administratës tatimore, tatimpaguesi ka të drejtë të parashtrojë ankesa dhe të ndjekë procedurat e ankimimit sipas ligjit për procedurat tatimore.
- E drejta për të kërkuar kreditime dhe zbritje
Individi ka të drejtë të përfitojë nga zbritjet dhe kreditimet e ligjshme që i takojnë, përfshirë zbritjen e tatimit të paguar jashtë vendit apo zbritjet personale nga baza tatimore, në përputhje me ligjin.
- E drejta për trajtim të barabartë
Të gjithë tatimpaguesit trajtohen në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim nga administrata tatimore, pavarësisht statusit, aktivitetit apo vendbanimit.
- E drejta për informim në gjuhën shqipe
Informacioni tatimor jepet në gjuhën zyrtare të Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme.
